Burimet e Vetëmenaxhimit

Ka mjaft mënyra për të promovuar një shëndet mendor më të mirë.

Mëso sesi mund të ndihmosh veten dhe të menaxhosh depresonin tënd.

Lexo rreth vetëmenaxhimit dhe bëj testin e vetëvlerësimit.

Lexoni më tej

Kryeni testin vetëplotësues

Nënllojet e depresionit

Cilat janë nënllojet e depresionit?

Ekzistojnë lloje të ndryshme të depresionit, të cilat mund të marrin rrjedha të ndryshme. Shenjat dhe simptomat ndryshojnë në numër, në kohë, ashpërsi dhe këmbëngulje, por në tërësi ato janë mjaft të ngjashme. Meqë nënllojet e ndryshme të depresionit mund të kërkojnë trajtime të ndryshme, mjeku juaj do të dëshirojë të identifikojë llojin që ndikon te ju. Ka gjithashtu dallime në mënyrën sesi individët përjetojnë depresionin dhe shprehin simptomat në përputhje me moshën, gjininë dhe kulturën.


Shumë emra janë përdorur për të përshkruar format e ndryshme të depresionit: neurotik, reaktiv ose depresioni i vogël janë emra klinikë të zakonshëm dhe thuhet se janë të natyrës psikologjike, dhe mund të trajtohen kryesisht përmes psikoterapisë. Nga ana tjetër, depresioni somatik dhe psikotik shoqërohen me ndryshime të balancës kimike dhe janë të shërueshme nga pikëpamja mjekësore. Këto janë terma që kryesisht përdoren nga profesionistët e shëndetit mendor.


Hulumtimet kanë treguar vazhdimisht se, depresioni është një gjendje humori ose çrregullim emocional që ndodh në disa faza. Kjo do të thotë se periudhat e humorit normal alternohen me episodet depresive. Ndonjëherë, në vend të një faze depresive, mund të ndodhin fazat e euforisë së humorit (disponimi shumë i lartë), irritim dhe nervozizëm, të quajtur mania ose hipomania. Prandaj, depresioni unipolar është i pranishëm kur nuk ka faza të manisë ose hipomanisë në historinë klinike, dhe depresioni bipolar është i pranishëm kur faza të tilla kanë ndodhur në të kaluarën.

1. Episodi depresiv

Forma më e zakonshme dhe tipike e depresionit është episodi depresiv. Një episod i vetëm ndodh disa javë në vite, duke shfaqur një kombinim të simptomave, por gjithnjë zgjasin më shumë se 2 javë. Episodet e vetme depresive përshkruhen si unipolare. Rreth një e treta e personave të prekur përjetojnë vetëm një episod, ose “fazë”, në jetën e tyre. Megjithatë, nëse një person nuk merr trajtim të duhur për depresionin e tij, ekziston rreziku që episodet e përsëritura depresive të ndodhin në të ardhmen. Episodet e depresionit të bëjnë gjithmonë pak a shumë të paaftë.

2. Çrregullimi periodik depresiv

Kur përsëritet episodi depresiv, flasim për çrregullim periodik depresiv ose çrregullime të mëdha depresive, që zakonisht fillojnë në adoleshencë ose në moshën e pjekurisë. Individët me këtë lloj depresioni do të përjetojnë faza depresive që mund të zgjasin deri në vite, duke përfshirë faza humori normal gjatë kësaj periudhe. Ky lloj çrregullimi depresiv të bën shumë të paaftë dhe është unipolar në natyrë (që do të thotë se nuk ka mani ose hipomani). Zakonisht quhet edhe depresion "klasik" ose "klinik".

3. Distimi

Distimi-a karakterizohet nga simptoma më të buta dhe më pak të dallueshme nga episodet depresive ose depresioni i përsëritur. Megjithatë, çrregullimi është i vazhdueshëm, me simptoma që zgjasin për një kohë të gjatë, të paktën 2 vjet, ndonjëherë me dekada dhe kjo është arsyeja pse quhet edhe “depresioni kronik”. Çrregullimi është unipolar dhe ndikon në funksionimin e individit, por nuk e bën atë të paaftë. Njerëzit që vuajnë nga ky lloj depresioni nganjëherë mund të preken në mënyrë akute dhe bien në depresion madhor; prania këtyre dy diagnozave quhet depresion i dyfishtë.

4. Depresioni Bipolar I

Ky lloj depresioni ndodh në çrregullimin bipolar, i quajtur më parë çrregullim maniak-depresiv, dhe është më pak i zakonshëm se depresioni unipolar. Përfshin një kalim në mes të fazave depresive, fazave normale të humorit dhe të ashtuquajturave "faza maniake". "Fazat maniake" karakterizohen nga një gjendje humori shumë e lartë, e lidhur me hiperaktivitetin, nervozizmin dhe nevojën e paktë për gjumë.

Mania prek të menduarit, gjykimin dhe sjelljen sociale duke shkaktuar probleme serioze dhe vështirësi. Praktika seksuale me partnerë të shumtë dhe të pasigurta, ose vendime të pamenduara biznesi apo financiare mund të kryhen kur një individ është gjatë kësaj faze. Pas një episodi maniak, njerëzit e prekur shpesh përjetojnë depresion.

Mënyra më e mirë për të përshkruar këtë "trazirë të emocioneve" të alternuara është "duke shkuar nga të qenit në krye të botës në thellësitë e dëshpërimit".

Simptomat e fazave të depresionit në çrregullimet bipolare ndonjëherë janë të vështira për t'u dalluar nga depresioni unipolar.

5. Depresioni Bipolar II

Njerëzit e prekur nga ky lloj depresioni ngjajnë më shumë me njerëzit e prekur nga çrregullimi depresiv i përsëritur/rekurent sesa me ata që vuajnë nga çrregullimi bipolar, sepse me shikim të parë janë në fazat trishtuese të humorit. Kjo është një sindromë në të cilin personi i prekur ka të përsëritura episodet depresive të shoqëruar nga ajo që quhet hypomania, një gjendje euforike e moderuar shumë më e butë se mania, të cilën personi dhe familja mund ta ngatërrojnë me humorin ose gëzimin normal.

6. Depresioni i përzier dhe ankthi

Megjithëse ankthi dhe simptomat psikologjike dhe somatike që e shoqërojnë janë karakteristika të zakonshme të depresionit, dhe simptomat depresive janë të shpeshta brenda çrregullimeve të ankthit, në përgjithësi është e lehtë të diagnostikosh nëse depresioni është problemi kryesor. Megjithatë, këtu ekziston një kombinim i ekuilibruar i simptomave të depresionit dhe ankthit.

7. Episodet depresive psikotike

Një formë e veçantë e episodit depresiv është depresioni psikotik ose deluzional. Psikoza përfshin shikimin ose dëgjimin e gjërave që nuk janë aty (halucinacionet) dhe/ose që kanë ide ose besime joreale (deluzione). Njerëzit e prekur mund të zhvillojnë besime të rreme, të tilla si vendosja e fajit të rëndë mbi vetveten (deluzione vetëfajësuese), shkatërrimi financiar (deluzioni i varfërisë) ose sëmundja e pashërueshme e rëndë (hipokondri), pavarësisht nga të gjitha dëshmitë e kundërta. Njerëzit me depresion deluzional, pothuajse gjithmonë, kanë nevojë për kujdes shëndetësor spitalor. Episodet psikike mund të jenë të natyrës unipolare ose bipolare.

8. Depresioni atipik

Ky lloj depresioni karakterizohet nga një gjendje e mbindjeshme dhe e ndryshueshme humori, ushqyerje ose gjumi tepruar, si dhe përjetim i episodeve të panikut. Ky lloj i depresionit është i butë dhe mund të jetë i natyrës bipolare.

9. Çrregullimi sezonal depresiv

Ky lloj depresioni thuhet të jetë i ngjashëm me depresionin atipik dhe ndodh në mënyrë sezonale, gjatë ndryshimeve klimatike si vjeshta ose dimri. Zakonisht, kur përfundon faza e sezonit të depresionit, njerëzit rimarrin veten dhe normalizohen.

10. Çrregullimi i shkurtër periodik depresiv

Kjo është një formë e butë dhe e lehtë e depresionit që mund të kompromentojë funksionimin, prek kryesisht të rinjtë dhe karakterizohet nga periudha të shkurtra të humorit depresiv ose të përzier, që zakonisht zgjasin më pak se 2 javë.

iFightDepression është një projekt i financuar dhe implementuar nga: