
Për profesionistët e kujdesit shëndetësor

Çfarë duhet të dijë një mjek për depresionin?
Depresioni prek afërsisht një në katër gra dhe një në tetë burra gjatë jetës së tyre. Rreth 10% e pacientëve në trajtimin e kujdesit parësor vuajnë nga depresioni.
Depresioni përfshin ndryshime në sjellje (p.sh. tërheqje/izolim, gjuhë të varfër) dhe ndjenja (p.sh. ndjenja e lodhjes ose fajësisë). Këto simptoma shkaktohen si pasojë e ndryshimeve themelore në funksionimin e trurit: depresioni shoqërohet me çrregullime të sistemeve të serotoninës dhe noradrenalinës, si dhe të sistemit të hormoneve të stresit. Megjithatë, deri më sot, nuk ka shenjues/teste biologjike në dispozicion që mund të përdoren klinikisht për diagnozë.
Për sa i përket shkaqeve të depresionit është e rëndësishme të bëjmë dallimin midis predispozitave gjenetike dhe faktorëve të fituar gjatë jetës nga ngjarjet jetësore nxitëse apo rrethanat. Ndonjëherë, edhe ngjarje pozitive të jetës (të tilla si fillimi i festave ose promovimi) mund të shkaktojnë episode depresive, ose episodet depresive mund të fillojnë pa një shkak të identifikueshëm. Ekziston një tendencë e cila mbivlerëson faktorët e jashtëm nxitës ndërkohë që minimizon faktorët biologjikë, e cila, më pas rezulton në rrezikun e mungesës së një diagnostikimi të kujdesshëm të depresionit si sëmundje klinike, dhe të trajtimit bazuar në udhëzimet përkatëse.
Depresioni ndikon thellësisht në cilësinë e jetës. Kjo mbështetet qartë nga fakti se, nuk ka çrregullime të tjera të lidhura aq ngushtë me vetëvrasjen, që ndodhin si pasojë e vuajtjes dhe dëshpërimit të padurueshëm. Cilësia e jetës dhe prognoza (ecuria e një sëmundjeje) e pacientit përkeqësohet kur një depresion është i bashkëshoqëruar me sëmundje të tjera.