Nënllojet e depresionit

Vetë-menaxhimi

Ka shumë mënyra për të përmirësuar shëndetin mendor. 

Cilat janë nënllojet e depresionit?

Ekzistojnë lloje të ndryshme të depresionit, të cilat mund të marrin rrjedha të ndryshme. Shenjat dhe simptomat ndryshojnë në numër, në kohë, ashpërsi dhe këmbëngulje, por në tërësi ato janë mjaft të ngjashme. Meqë nënllojet e ndryshme të depresionit mund të kërkojnë trajtime të ndryshme, mjeku juaj do të dëshirojë të identifikojë llojin që ndikon te ju. Ka gjithashtu dallime në mënyrën sesi individët përjetojnë depresionin dhe shprehin simptomat në përputhje me moshën, gjininë dhe kulturën.

Depresioni është një çrregullim i humorit ose afektiv që te shumica e pacientëve ndodh në faza. Kjo do të thotë që periudhat e humorit normal alternojnë me episode depresive. Ndonjëherë, përveç episodeve depresive, ndodhin episode manie të karakterizuara nga eufori (humor shumë i lartë), hiperaktivitet, nervozizëm dhe agjitacion. Në këtë rast nuk diagnostikohet një depresion unipolar, por një depresion bipolar (episodi depresiv në kontekstin e një çrregullimi afektiv bipolar).

1. Episodi depresiv

Forma më e zakonshme dhe tipike e depresionit është episodi depresiv. Një episod mund të fillojë me shpejtësi brenda pak ditësh ose ngadalë gjatë disa javësh dhe zakonisht ka një kohëzgjatje prej disa javësh dhe muajsh. Një numër simptomash depresive duhet të jenë të pranishme vazhdimisht për të paktën 2 javë në mënyrë që të mund të flitet për një episod depresiv. Shumica e njerëzve që përjetojnë një episod depresiv do të kenë episode të mëtejshme në jetën e tyre (çrregullim depresiv i përsëritur). Ky rrezik i përsëritjes mund të reduktohet me një trajtim të përshtatshëm.

2. Çrregullimi periodik depresiv

Kur përsëritet episodi depresiv, flasim për çrregullim periodik depresiv ose çrregullime të mëdha depresive.

3. Distimi

Distimia karakterizohet nga një ashpërsi më e lehtë e simptomatologjisë depresive krahasuar me episodet depresive ose çrregullimin depresiv të përsëritur. Megjithatë, çrregullimi fillon kryesisht gjatë adoleshencës dhe është i qëndrueshëm me simptoma që zgjasin të paktën 2 vjet, ndonjëherë dekada. Njerëzit që vuajnë nga ky lloj depresioni ndonjëherë vuajnë edhe nga episode depresive. Në këtë rast, me distimi dhe episode depresive, diagnoza është depresion i dyfishtë.

4. Depresioni Bipolar

Çrregullimet Afektive Bipolare (çrregullimi maniako-depresiv) janë çrregullime të rënda. Ato janë më pak të shpeshta se çrregullimet unipolare.

Dallohen dy nënforma: çrregullimi bipolar I dhe çrregullimi bipolar II.

Pacientët me çrregullim bipolar I vuajnë nga episode depresive dhe të manisë. Episodet e manisë mund të ndodhin papritur pas disa episodeve depresive dhe diagnoza origjinale e depresionit unipolar duhet të ndryshohet në çrregullim afektiv bipolar. Ky ndryshim në gjendjen e humorit mund të ndodhë shumë shpejt (ndërrimi gjatë natës) pas një episodi depresiv ose pas muajsh dhe vitesh të një gjendjeje të shëndetshme humori. Fazat e manisë karakterizohen nga humor tepër i lartë, i lidhur me hiperaktivitet, shqetësim, nervozizëm, bisedë dhe nevojë të reduktuar për gjumë.

Mania prek të menduarit, gjykimin dhe sjelljen sociale duke shkaktuar probleme serioze dhe vështirësi. Praktika seksuale me partnerë të shumtë dhe të pasigurta, ose vendime të pamenduara biznesi apo financiare mund të kryhen kur një individ është gjatë kësaj faze. Mënyra më e mirë për të përshkruar këtë përjetim të tjetërsimit emocional 'vorbull emocionesh' është 'kalimi nga të qenit në ‘re’ në thellësitë e dëshpërimit'.

Ҫrregullimi bipolar II: Nëse simptomat e manisë janë më pak të theksuara dhe nuk çojnë në probleme të mëdha psikosociale, diagnostikohet jo një episod manie, por hipomanie. Nëse një pacient vuan nga episode depresive dhe hipomanie, diagnostikohet një çrregullim bipolar II. Ndonjëherë episodi hipomanisë ndodh menjëherë pas përfundimit të një episodi depresiv.

5. Depresioni psikotik

Një formë e veçantë e episodit depresiv është depresioni psikotik ose deluzional. Depresioni psikotik karakterizohet nga ide dhe bindje të rreme (deluzione) dhe ndonjëherë edhe nga halucinacione. Deluzionet zakonisht janë përqendruar rreth ndjenjave të ekzagjeruara të fajit (p.sh. 'Unë jam vetëm një barrë për familjen time' ose 'Kam bërë një gabim të tmerrshëm'), rreth frikës nga rrënimi i plotë financiar (deluzioni i varfërisë) ose rreth frikës së ekzagjeruar nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme (deluzioni hipokondrial). Deluzionet zakonisht ekzistojnë edhe nëse ka prova të kundërta (p.sh. para të mjaftueshme në dispozicion). Pacientët me depresion psikotik pothuajse gjithmonë kanë nevojë për trajtim psikiatrik në spital për shkak të ashpërsisë së këtij çrregullimi dhe rrezikut shumë të lartë të vetëvrasjes. Depresioni psikotik mund të ndodhë si në depresionin unipolar ashtu edhe në atë bipolar.

6. Depresioni atipik

Pacientët me këtë lloj depresioni kanë të njëjtat simptoma depresive si ata me depresion tipik me dy përjashtime: ndërsa në depresionin tipik pacientët kanë mungesë oreksi (shpesh me humbje peshe) dhe vështirësi për të rënë në gjumë, pacientët me depresion atipik shfaqin ngrënie të tepërt dhe gjumë të tepërt. Ky lloj depresioni mund të ndodhë në depresionin unipolar dhe bipolar.

7. Çrregullimi sezonal depresiv

Ky lloj depresioni thuhet të jetë i ngjashëm me depresionin atipik dhe ndodh në mënyrë sezonale, gjatë ndryshimeve klimatike si vjeshta ose dimri. Zakonisht, kur përfundon faza e sezonit të depresionit, njerëzit rimarrin veten dhe normalizohen.