Më poshtë mund të gjeni përgjigjet për një numër pyetjesh të shpeshta rreth depresionit.

Kur njerëzit thonë se ndihen depresivë, a do të thotë se ata kanë një gjendje klinike/çrregullim?

Jo gjithmonë. Njerëzit shpesh përdorin fjalën "depresion" për të nënkuptuar ndjenjën e mërzisë ose stresin brenda kufijve normal të përvojës së jetës, përgjithësisht pa kuptim të gjendjes klinike.

Kur depresioni është një gjendje klinike?

Disponimi/gjendja e humorit i një personi në përgjithësi ndryshon në varësi të ngjarjeve të përditshme, dhe zakonisht varion nga mërzitje e lehtë tek gëzim i lehtë. Individët me depresion, kanë një gjendje humori më të ulët se niveli i zakonshëm i humorit në popullatën e përgjithshme. Për depresionin klinik, simptoma të caktuara duhet të jenë të pranishme për një periudhë prej të paktën dy javësh, domethënë humor depresiv, humbje e interesit ose kënaqësisë, dhe rënie e fuqisë ose energjisë.

Cilat janë shkaqet e depresionit? Çfarë e nxit depresionin?

Depresioni ka shkaqe të shumëfishta: një kombinim i faktorëve psikologjikë, biologjikë dhe socialë ndikojnë në zhvillimin e depresionit. Faktorët e rrezikut biologjik përfshijnë trashëgiminë gjenetike, sistemin imunitar, hormonet dhe neurotransmetuesit në trup. Disa tipare të personalitetit mund të përbëjnë një "faktor rreziku". Modelet e të menduarit negativ ose vetëvlerësimi i ulët mund të luajnë një rol të madh. Edhe pse një pacient ndonjëherë mund të emërojë një ngjarje specifike si nxitës për depresionin, shkaqet themelore janë shpesh të ndryshme dhe komplekse.

Si mund ta njoh depresionin?

Nëse një person përjeton humor të ulët shumicën e kohës, nuk është i motivuar ose ka humbur interesin për të bërë gjëra që zakonisht ishin të këndshme për të, këto mund të jenë simptoma të rëndësishme të depresionit. Përveç kësaj, ka simptoma të tjera, të cilat mund të ndryshojnë nga individi në individ, të tilla si problemet e gjumit, ndryshimet e oreksit dhe peshës, problemet e përqendrimit dhe të të menduarit, humbja e energjisë ose e interesit seksual. Gjithashtu, mendimet rreth vdekjes dhe vetëvrasjes mund të jenë të pranishme.

A preken anëtarët e familjes nga depresioni?

Lëndueshmëria/vulnerabiliteti për të zhvilluar depresionin mund të trashëgohet gjenetikisht. Megjithatë, të qenit gjenetikisht të lëndueshëm/vulnerabël nuk do të thotë se depresioni automatikisht do të zhvillohet, pasi ngjarjet e jetës luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm. Gjenet nuk janë faktori i vetëm i rëndësishëm, por rreziku i depresionit është më i lartë nëse ka një histori familjare të depresionit ose sëmundjes mendore.

Çfarë mund të bëj si i afërm i një personi në depresion?

Si një anëtar i familjes ose mik i një personi që është diagnostikuar me depresion, është e rëndësishme të jeni në dispozicion për ta dëgjuar. Marrja e hapit të parë për të folur hapur për depresionin mund të jetë e vështirë, si për personin që përjeton depresionin dhe për ju, por është një hap i rëndësishëm drejt shërimit. Përveçse duke dëgjuar me empati, përpiquni t'i inkurajoni dhe lehtësoni ata në kërkimin ose vazhdimin e ndihmës profesionale. Ndihma profesionale duhet të jetë e qëndrueshme për muaj apo edhe vite. Shpesh është e dobishme kur të afërmit planifikojnë një takim dhe shoqërojnë një person që mund të jetë në depresion, sepse ata mund të jenë të paaftë për shkak të sëmundjes dhe nuk mund ta bëjnë këtë vetëm. Për një person të diagnostikuar me depresion, të afërmit janë shumë të rëndësishëm. Ata mund të ndihmojnë me punët e përditshme, të mbështesin trajtimin e tyre dhe t'i bëjnë ata të ndihen të rëndësishëm: është e nevojshme të përcillni mesazhin "Unë jam pranë jush".

Kujdesi për dikë me një sëmundje mund të jetë sfiduese, prandaj sigurohuni të kujdeseni edhe për veten, duke zhvilluar hobet tuaja rregullisht dhe duke kërkuar mbështetje shtesë nëse e ndjeni nevojën.

A mund të kenë fëmijët dhe adoleshentët depresion?

Po. Fëmijët dhe adoleshentët mund të zhvillojnë një çrregullim depresiv, i cili shpesh është më i vështirë të njihet sesa tek të rriturit. Puberteti mund të jetë përgjegjës për ndryshimin e emocioneve dhe mund të jetë një nxitës i mundshëm për depresion. Nëse duket sikur një i ri është i mërzitur, i dëshpëruar, i lënë pas dore dhe i pashpresë, ose ndoshta i irrituar me ndryshime të sjelljes, i shqetësuar dhe i tërhiqur nga të tjerët, është e rëndësishme të kontaktoni një profesionist të shëndetit mendor, p.sh. një psikiatër për fëmijët dhe adoleshentët.

 

A ekziston çrregullimi depresiv sezonal apo "dimëror"?

Po. Simptomat e "çrregullimeve afektive sezonale" (SAD) janë paksa të ndryshme nga depresioni tipik: njerëzit shpesh kanë rritje të oreksit (ata ndihen sikur kanë nevojë për të ngrënë më shumë karbohidrate, si pasta, oriz, bukë, patate) dhe flenë shumë më tepër. Është vërtetuar se ky çrregullim zhvillohet si pasojë e mungesës së dritës gjatë muajve të dimrit. Terapia e dritës, ilaçet kundër depresionit dhe psikoterapia janë opsione shumë efektive trajtimi. Gjithashtu, stërvitja e rregullt fizike si dhe shëtitjet ose aktivitetet e tjera në natyrë (p.sh. vrapimi ose çiklizmi) mund të ndihmojnë në parandalimin ose kapërcimin e humorit të ulët. Por mos harroni! Nuk është e pazakontë të ndiheni më pak energjikë dhe pak të ngadalësuar kur ditët bëhen më të shkurtra dhe moti është më i ftohtë. Është e rëndësishme të flisni me mjekun tuaj nëse dyshoni se ju vuani nga SAD.

A duhet të di punëdhënësi im për depresionin tim?

Në përgjithësi, një punëdhënës nuk ka të drejtë të kërkojë informacione në lidhje me diagnozën e punonjësve, pa marrë parasysh se çfarë sëmundjeje mund të prekë ata. Megjithatë, në varësi të rasteve, mund të jetë e dobishme të përfshini punëdhënësin tuaj gjatë trajtimit. Mund të jetë e rëndësishme të diskutoni masat potencialisht të dobishme, të tilla si ristrukturimi i vendit të punës, fillimi i një riintegrimi në punë ose qasja në këshillimin në vendin e punës; për të gjitha këto, ju mund të mbështeteni te punëdhënësi juaj. Mjeku ose terapisti juaj, punonjësit socialë, të afërmit ose persona të tjerë të prekur mund t'ju ndihmojnë të vendosni nëse doni të informoni punëdhënësin tuaj, por kjo në fund të fundit varet nga ju.

A mund të shërohet depresioni?

Një episod i vetëm depresiv përgjithësisht do të kalojë plotësisht. Pas trajtimit fillestar të simptomave, trajtimi vazhdon duke u fokusuar në parandalimin e një episodi të përsëritur depresiv. Për fat të keq, nuk ka garanci se nuk do të ketë episode të mëtejshme në të ardhmen. Disa njerëz kanë vetëm një episod të vetëm depresiv.

Si trajtohet depresioni?

Ekzistojnë tre lloje kryesore të trajtimit: (1) mjekimi, (2) trajtimi psikologjik, dhe (3) trajtimi social. Ekzistojnë dëshmi të qarta se në shumicën e rasteve, këto trajtime funksionojnë më së miri të kombinuara.

Përgjithësisht, depresioni mund të trajtohet me ilaçe të tilla si medikamentet kundër depresionit [siç janë frenuesit selektivë të rimarrjes së serotoninës (SSRIs) ose triciklikët] dhe psikoterapia (si terapia e njohjes dhe e sjelljes, ose terapia psikodinamike). Ilaçet kundër depresionit janë shpesh shtylla e parë e trajtimit, duke marrë parasysh efektivitetin, pranueshmërinë, koston dhe qasjen. Në disa raste, mund të përdoren terapi shtesë, si aktiviteti fizik, terapia e dritës, teknikat e relaksimit, aktivitetet e ditës në punë, terapia elektrokonvulsive ose terapia e zgjimit.

Ku mund të kërkoj ndihmë?

Si hap i parë, është e rëndësishme të flisni me mjekun tuaj të përgjithshëm (mjekun e familjes) dhe të planifikoni një vizitë me të. Mjeku juaj i përgjithshëm mund të ndihmojë në identifikimin e nevojave tuaja dhe fillimin e trajtimeve të duhura. Nëse nuk besim në vetvete ose nuk jeni të sigurt në lidhje me vendosjen e kontakteve me mjekun tuaj, bisedoni me një mik apo një anëtar të familjes, në mënyrë që ata t'ju ndihmojnë për të arritur atë.

Bazuar në vlerësimin e situatës suaj, mjeku juaj i përgjithshëm mund t'ju referojë ose t'ju këshillojë të konsultoheni me një specialist të shëndetit mendor, si mjeku psikiatër ose psikologu.

A do të duhet të paguaj për trajtimin tim?

Në Shqipëri, shërbimi për shëndetin mendor ofrohet falas. Pacienti drejtohet tek mjeku I familjes dhe ky e refereron tek mjeku psikiatër apo psikologu në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor. Në rastet e pamenaxhueshme nga Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor, rasti referohet në shërbimin me shtretër. 

Në Kosovë, paguajnë për vizitë mjekësore tek mjeku familjarë 2 euro. Rastet sociale, të moshuarit dhe studentët janë të liruar nga pagesa. Ju mund të kontaktoni psikiatrin dhe psikologun klinik që punojnë në shërbimin shëndetësor publik, por zakonisht ju duhet të referoheni nga një mjek i përgjithshëm ose një profesionist i kujdesit shëndetësor, dhe mund t'ju duhet të prisni një kohe të caktuar për vizitën. Aty duhet të paguani 3 euro për vizitë. Nëse preferoni të shihni një psikoterapeut jashtë shërbimit shëndetësor publikë, pagesa zakonisht është 10-20 euro.

Çfarë do të thotë të bësh psikoterapi në kontekstin e depresionit?

Përveç antidepresivëve, psikoterapia është një shtyllë tjetër e rëndësishme e trajtimit të depresionit. Në rastet më të buta të depresionit, psikoterapia mund të përdoret vetëm, pa marrë ilaçe. Psikoterapia është më pak e arritshme dhe më e shtrenjtë pasi varet nga disponueshmëria e profesionistëve të trajnuar për një periudhë të konsiderueshme.

Cilësia mund të jetë një tjetër çështje, prandaj është e rëndësishme të siguroheni që profesionistët ku drejtoheni të jenë të kualifikuar dhe të akredituar. Terapia e njohjes dhe sjelljes (CBT) dhe disa forma të terapisë psikodinamike, p.sh. terapia ndërpersonale, është vënë re se janë efektive në trajtimin e depresionit. Në rastin e terapisë së njohjes dhe sjelljes, kjo përfshin, për shembull, strukturimin e ditës suaj dhe planifikimin e aktiviteteve të këndshme, si dhe identifikimin dhe sfidimin e qëndrimeve negative dhe mendimeve automatike, të cilat shpesh ndodhin te njerëzit me depresion. Terapia ndërpersonale përfshin identifikimin e problemeve që dalin në marrëdhënie me njerëz të rëndësishëm, dhe kuptimin e shkaqeve dhe efekteve të këtyre problemeve.

Si funksionojnë medikamentet për depresionin?

Medikamentet për trajtimin e depresionit quhen antidepresivë. Ato janë shtylla e parë e trajtimit të depresionit.

Shumica e medikamenteve që përdoren për të trajtuar depresionin ndikojnë drejtpërdrejt te neurotransmetuesit, duke përfshirë serotoninën, noradrenalinën dhe dopaminën, duke synuar aktivizimin e zonave ose receptorëve specificë në tru.

Antidepresantët gjithashtu mund të ndihmojnë njerëzit nervozë ose ankthiozë. Medikamente të tjera mund të përdoren në kombinim. Për këtë arsye, është e rëndësishme të bisedoni me mjekun tuaj dhe me profesionistët e tjerë të shëndetësisë (si farmacistët) se cilat janë medikamentet e duhura për ju.

Sa efektive janë janë medikamentet bimore?

Ndikimi varet nga substanca, por një specialist duhet të konsultohet. Për shembull, substancat bimore të ngjashme me SSRI nuk duhet të përdoret në kombinim me ilaçet antidepresive farmaceutike. Ekzistojnë gjithashtu fakte se medikamentet bimore nuk duhet të merret në kombinim me ilaçet për trajtimin e HIV-AIDS, ilaçet e transplantimit, warfarin (një agjent i hollimit të gjakut), disa medikamente të zemrës, antikonvulzantët për trajtimin e epilepsisë, pilulat kontraceptive dhe trajtimet e migrenës.

Përveç mjekut tim të përgjithshëm me kë tjetër mund të flas?

Përveç mjekut tuaj të përgjithshëm, ju mund të konsultoheni me specialistë të shëndetit mendor me profil mjekësor ose psikologjik, si psikiatër dhe psikologë. Nëse shkoni në seksionin “Merr Ndihmë” në faqen e internetit ifightdepression.com (në krye të faqes), mund të kërkoni shërbime më të përgjithshme, si dhe shërbime për trajtimin psikologjik në zonën tuaj të banimit. Gjithashtu, mjeku juaj i përgjithshëm mund të jetë në dijeni të shërbimeve shtesë mbështetëse.

Si mund të ndihmojnë të afërmit dhe miqtë për trajtimin e një personi me depresion?

Të afërmit, kolegët ose miqtë mund të inkurajojnë personin e prekur të takojë mjekun e tij të përgjithshëm, të kërkojë trajtim të specializuar, ose e ndihmojmë atë duke  caktuar orën e takimit me mjekun dhe duke e shoqëruar. Njerëzit që vuajnë nga depresioni duhet të kontaktojnë mjekun e tyre, ashtu siç do të bënin me çdo  sëmundje. Konsulenti mund të jetë mjek i përgjithshëm, specialist i psikiatrisë ose psikolog klinik. Të kontaktosh një specialist është veçanërisht e rëndësishme kur simptomat depresive nuk përmirësohen disa javë pas trajtimit.

Pse medikamentet për depresionin përshkruhen me recetë nga mjeku?

Gjithkush duhet të njohë medikamentet që i përshkruhen me recetë nga mjeku psikiatër. Nëse nuk jeni të sigurt përse medikamenti ju është përshkruar nga mjeku,  ju duhet t’i kërkoni që t’ju shpjegojë arsyet e dhënies së tij. Medikamentet përshkruhen për të ndihmuar njerëzit me depresion, duke përmirësuar simptomat e tyre. Zakonisht, për depresionin përshkruhen antidepresivët, por mund të jenë të nevojshme edhe lloje të tjera ilaçesh.

Për çrregullimin depresiv, truri nuk punon si më parë, ndaj medikamentet kundër depresionit mund të ndihmojnë trurin të funksionojë më mirë. Është e ngjashme me medikamentet që individët marrin për probleme të tjera shëndetësore, si astma apo diabeti.

Medikamentet që trajtojnë depresionin mund të ndihmojnë njerëzit të kthehen në aktivitetet e tyre të zakonshme, siç janë vajtja në punë ose në shkollë, shpenzimi i kohës me miqtë, dëgjimi i muzikës ose sporti.

Çfarë ndodh në momentin që filloj të marr ilaçe për depresion?

Para se të filloni medikamentet, është mirë të flisni për mënyrën sesi ndiheni për këtë fakt dhe për atë që prisni të ndodhë me trajtimin. Mjeku juaj i përgjithshëm mund t'ju ndihmojë të njiheni me faktet rreth barnave dhe opsioneve të tjera të trajtimit.

Ju dhe mjeku juaj duhet të bëni një plan të qartë se sa shpesh do të takoheni (p.sh. personalisht në një takim) ose bisedoni (p.sh. në telefon) se çfarë po bëni pas fillimit të një ilaçi. Është e rëndësishme të mbani shënime sesi ndiheni gjatë marrjes së ilaçeve.

Mjeku juaj dhe profesionistët e tjerë të shëndetësisë (si farmacisti juaj) do të flasin për aspektet pozitive që ndodhin me marrjen e ilaçeve, si përmirësimi i simptomave, por edhe përjetimi i efekteve anësore që mund të ndodhin për një periudhë afatshkurtër. Medikamentet mund të shkaktojnë efekte anësore, dhe kjo mund të ndodhë përpara se simptomat tuaja të përmirësohen. Mos harroni se jo të gjitha medikamentet kanë efekte anësore. Ju mund të bisedoni me mjekun tuaj për efektet anësore të mundshme, dhe si të merreni me to në qoftë se ndodhin.

Medikamentet për depresion, zakonisht nuk kanë efekt të menjëhershëm, por gradualisht, me kalimin e kohës, ato fillojnë të kenë efekt në organizëm. Për sa i përket cilësisë dhe kohës që duhet për të dhënë efekt, kjo varet nga lloji i simptomave që keni dhe sa të rënda janë ato. Ju mund të pyesni mjekun tuaj rreth simptomave që pritet të përmirësohen me përdorimin e ilaçeve, si dhe për kohën e domodoshme për arritjen e përmirësimit.

Ju duhet të vizitoni mjekun tuaj më shpesh pas fillimit të ilaçeve. Kjo mund të lejojë mjekun tuaj të shikojë nëse mjekimi ju ndihmon apo jo, ose nëse ju shkakton probleme. Nëse ilaçi shkakton efekte anësore të papranueshme ose nuk funksionon disa javë më pas, atëherë, mjeku juaj mund të ndryshojë sasinë ose llojin e ilaçeve, apo mund të sugjerojë trajtime të tjera.

A mund të bëheni të varur nga antidepresivët?

Jo, ky është një mit i zakonshëm. Ilaçet kundër depresionit nuk japin varësi. Ato stabilizojnë humorin në pacientët me depresion, por nuk e rrisin lumturinë dhe nuk japin një ndjenjë "të lartë" te njerëzit e shëndetshëm. Heqja e ilaçeve (kur mjeku juaj e rekomandon atë) është e lehtë në qoftë se ato janë përdorur për një kohë jo shumë të gjatë dhe kur është e mundur.Disa ilaçe janë më të lehta për t'u hequr krahasuar me disa të tjera.

Me kë mund të flas për ilaçet e mia?

Mjeku juaj dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë, si farmacistët, kanë kualifikim të veçantë dhe përvojë mbi efektet e ilaçeve. Nëse keni pyetje apo shqetësime rreth medikamenteve tuaja, ju mund të bisedoni me ta për të marrë më shumë informacione.

Si mund ta kuptoj nëse mjekimi është duke dhënë efektet e dëshiruara?

Ju duhet të merrni njohuri mbi mjekimin tuaj (përse përdoret medikamenti) përpara se të tregoni nëse po funksionon apo jo. Mënyra më e mirë për ta kuptuar është të bëni një plan për shqyrtimin e simptomave, efekteve anësore, si dhe të aktiviteteve para se të filloni të merrni medikamentet. Në përgjithësi, nëse mjekimi ndihmon, simptomat tuaja do të fillojnë të përmirësohen dhe ju do t’u ktheheni aktiviteteve tuaja të rregullta. Sa kohë do të duhet që gjërat të fillojnë të përmirësohen, kjo varet nga lloji i simptomave që keni dhe sa të rënda janë ato. Në trajtimin e depresionit me ilaçet kundër depresionit, zakonisht do të filloni të ndjeni përmirësim në 2-6 javët e para, dhe mund të arrini remisionin e depresionit në javën e 8-12 të trajtimit.

Është shumë e rëndësishme të flisni me mjekun tuaj për mënyrën sesi të kuptoni  nëse keni përmirësime, nuk keni ndryshime apo nëse gjendja juaj po përkeqësohet gjatë marrjes së medikamenteve.

Çfarë ndodh nëse medikamenti antidepresiv qëmarr nuk më ndihmon të ndihem më mirë?

Nuk është e pazakontë që një person të provojë më shumë se një medikament për të gjetur atë që funksionon. Kjo ndodh edhe me çrregullime të tjera dhe jo vetëm me depresionin. Nuk ka asnjë mënyrë të besueshme për të ditur se cilat ilaçe do të funksionojnë për secilin person. Ka shumë antidepresantë që përdoren për të trajtuar depresionin, kështu që nëse ndonjëri nuk funksionon, mund të merret një tjetër medikament më i përshtatshëm.

A duhet të marr përgjithmonë ilaçe për të trajtuar depresionin?

Ndonjëherë mjeku juaj mund të rekomandojë që ju të vazhdoni të merrni ilaçe antidepresante për një periudhë të gjatë. Shumë njerëz me depresion marrin ilaçe antidepresante për një kohë të gjatë, dhe jetojnë të shëndetshëm dhe për një kohë të gjatë.

Përcaktimi i kohëzgjatjes së trajtimit  me medikamente varet nga shumë faktorë. Ju dhe mjeku juaj duhet të konsideroni llojin e simptomave dhe llojin e depresionit që keni, në mënyrë që ai t’ju rekomandojë kohëzgjatjen e trajtimit me medikamente. Për disa njerëz me çrregullime depresive, simptomat kanë shkaktuar shumë probleme në jetën e tyre ose i kanë penguar që të bëjnë gjëra që zakonisht u pëlqejnë, shumë herë dhe për një kohë të gjatë. Për këta njerëz, nëse ata pajtohen, mund të jetë më mirë të marrin medikamente për një kohë të gjatë, për t'i ndihmuar të stabilizojnë  humorin dhe të vazhdojnë të bëjnë gjërat që duhet dhe që kanë dëshirë të bëjnë.

Çfarë është “I FightDepression”?

“I Fight Depression” u krijua për të nxitur vetëdijen për depresionin dhe për të fuqizuar njerëzit që vuajnë nga depresioni nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK). Faqja e internetit ifightdepression.com dhe programi i vetë-menaxhimit (instrumenti “I Fight Depression”) janë zhvilluar për këtë qëllim.

 

Ifightdepression.com u ofron të gjithëve informacion të plotë për depresionin dhe sjelljen vetëvrasëse, si dhe informacion në lidhje me shërbimet shëndetësore lokale dhe rajonale, dhe shërbimet mbështetëse. Faqja e internetit gjithashtu ofron informacion mbi strategjitë e dobishme për të promovuar shëndet mendor pozitiv, duke përfshirë burimet e vetëmenaxhimit. Ekzistojnë burime të përshtatshme brenda ifightdepression.com, të cilat pajisin anëtarët e familjes, profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe profesionistët e komunitetit të identifikojnë dhe të reagojnë ndaj problemeve që lidhen me depresionin.

Instrumenti “I Fight Depression” është një program vetëmenaxhues për individët që përjetojnë depresion të butë e të moderuar, bazohet në parimet e terapisë e njohjes dhe sjelljes, dhe udhëhiqet nga një mjek i trajnuar ose një profesionist i shëndetit mendor. Informacione të mëtejshme mbi Instrumentin “I Fight Depression” mund të gjenden në linkun e mëposhtëm.

 

iFightDepression Tool

Pse u krijua ifightdepression.com?

Depresioni është shumë i zakonshëm. Shpesh, njerëzit nuk kanë qasje në informata cilësore dhe të sakta për çrregullimin, prandaj mund të mos jenë në gjendje të marrin ndihmën që u nevojitet. “I Fight Depression” ka për qëllim të pajisë ata që janë të shqetësuar për depresionin me informacione dhe burime të sigurta, cilësore/të besueshme, për t'i ndihmuar ata në identifikimin dhe reagimin ndaj depresionit.

Kush është prapa I Fight Depression?

Konsorciumi "Parandalimi i Depresionit dhe Përmirësimi i Ndërgjegjësimit përmes Rrjetit në BE" (PREDI-NU) krijoi ifightdepression.com dhe Instrumentin “I Fight Depression”. Projekti PREDI-NU u financua nga Komisioni Evropian në Kuadrin e Programit Shëndetësor - Agjencia Ekzekutive e Konsumatorit, Shëndetit dhe Ushqimit, CHAFEA (më parë EAHC - Agjencia Evropiane për Shëndetësi dhe Konsumatorë) nën Marrëveshjen e Grantit nr. 2010 12 14. Që nga përfundimi i projektit (gusht 2014), Instrumenti “I Fight Depression” vazhdon dhe administrohet nga Aleanca Evropiane kundër Depresionit (EAAD).

A është faqja e internetit ifightdepression.com plotësisht konfidenciale?

Ekzistojnë dy pyetësorë brenda kësaj faqeje interneti që janë fakultativë për shikuesit e internetit që t’i plotësojnë - një pyetësor feedback-u për përshtypjet e shikuesit në faqen e internetit, dhe një vetëtest për shikuesit për të vlerësuar gjendjen e tyre. Nuk do t'ju kërkohet të zbuloni emrin tuaj në secilin prej këtyre pyetësorëve ose në ndonjë vend tjetër brenda faqes së internetit.

Informacioni i futur në pyetësorin e feedback-ut të faqes ose në vetëtestin ruhet në një mënyrë anonime, dhe adresat IP nuk ruhen. Kjo do të thotë se nuk është e mundur të identifikosh nga ku është dërguar ky informacion. Informacioni anonim nga të dy pyetësorët e feedback-ut, të faqes dhe vetëtestit, mund të arrihen nga ekipi hulumtues i instrumentit “I Fight Depression” për qëllime vlerësimi.

Ka më shumë informacione për grumbullimin e të dhënave në kuadër të Deklaratës tonë të Privatësisë, të cilat ju mund t'i merrni në në lidhjen më poshtë:

Deklarata e Privatësisë

iFightDepression është një projekt i financuar dhe implementuar nga: